Një në 4 shqiptarë jetojnë në mospasje deri në mjerim. Kjo do të thotë se ata e kanë të pamundur të ushqehen mirë, të ngrohen, duke mos mundur madje as të kurojnë as sëmundjet më të lehta. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në vitin 2021 ishin 622.000 shqiptarë nga rreth 621.000 në 2020 një që jetuan nën kufirin e varfërisë. Harta e të varfërve është zgjeruar kështu me mbi 1.000 individë.
“Mua më vjen keq… kam dhimbje pasi situata po agravohet nga viti në vit. Fakti që shumë shqiptarë nuk duan të jetojnë në Shqipëri tregon se vendi po bëhet i pabanueshëm”, thotë sociologu Zuhdi Dervishi.
Ndërkohë është gati gjysma e popullsisë që rrezikon të rrëshqasë në varfëri këtë vit. Ky tregues është sa 2-fishi i mesatares së Bashkimit Europian dhe ndjeshëm më i lartë se në vendet e Rajonit.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gati 44 % e shqiptarëve marrin të ardhura mujore sa për të plotësuar nevojat më bazike, ekuilibër që rrezikon të prishet nga rritja e çmimeve.
“Rritja e vrullshme e çmimeve e përkeqëson menjëherë situatën ekonomike të shqiptarëve. Duhet theksuar se po rriten çmimet e elementeve jetike”, vijon sociologu.
“Më kujtohet një shprehje e Heinrich Heine, një poeti të madh gjerman i cili e ka përjetuar vetë emigracionin. Ai thoshte: Ç’më duhet një Atdhe që më katandis si një luftëtar të rreckosur?”, përgjigjet Dervishi për A2CNN.
Të dhënat nga INSTAT nga matja e të ardhurave dhe niveli të jetesës për vitin 2021 tregojnë gjithashtu se gati 26 % e familjeve që kanë fëmijë rrezikojnë varfërinë, duke mos mundur t’u ofrojnë këtyre të fundit një jetesë të denjë.