Kur thua Monica Bellucci, nuk mund të mos mendosh për Malenan, personazhin e filmit ikonë të vitit ‘2000 të Guisepee Tornatores, gruan sharmante me tipare mesdhatare që e dëshironin të gjithë. Së fundmi, aktorja e njohur është shfaqur në kopertinën e revistës prestigjioze gjermane “Madame”, ku ka folur për feminizmin dhe për klishetë në standardet e bukurisë.
E veshur me një bluzë transparente me xixa Bellucci, tashmë afër të 60-ve, na ka treguar edhe një herë se feminiliteti nuk ka moshë. Në një tjetër moment të intervistës që ka dhënë, ajo ka folur për peshën dhe marrëdhënien që ka me trupin.
“Feminizëm për mua do të thotë të ndihem rehat me feminilitetin tim. Nuk jam e fiksuar pas peshës. Unë kam qenë gjithmonë një grua me forma, asnjëherë e dobët, kjo është natyra ime. Dhe unë dua të plakem në paqe. Kur je 50 ose 60 vjeç nuk ke të njëjtat nevoja si kur je 20 vjeç. Ndryshimi i madh vjen kur ke fëmijë.”, tha ajo, transmeton Living shqip.
Monica Bellucci është nënë e 2 vajzave, Deva 18-vjeçare dhe Leonie 12-vjeçare, të cilat i kishte me ish-bashkëshortin, Vincent Cassel. Ndonëse çifti është i ndarë që nga viti 2013, ata ruajnë një marrëdhënie shumë të mirë për hir të fëmijëve të tyre.