Problemet financiare, mungesa e vendeve të punës e ekonomia e ulët e vendit shpesh herë kanë qenë arsyet kyçe që qytetarët e Kosovës të largohen nga vendi.
Largimi i tyre jo që nuk pati rënie ndër vite, por përkundrazi të njëjtit gjetën forma të ndryshme që të marrin rrugët e Evropës, por edhe më larg.
Shkuarje në numër të madh nga Kosova drejt vendeve të huaja pati nga të rinjt, që në të shumtën e rasteve gjetën një punë të re, bënë një bashkim familjar apo thjesht u vendosën tek dikush që iu mundësoi qëndrimin jashtë Kosovës duke kërkuar kështu për një mundësi pune apo studimi.
Nga Ambasada zvicerane në Kosovë është bërë e ditur se numri i qytetarëve të cilët kanë aplikuar për vizë këtë vit deri në muajin tetor është 38. 341.
“38.341 deri më 31 tetor 2022”,u tha nga Ambasada e Zvicrës.
Nga rreth 39.000 aplikimeve gjithsej sa ishin nga kosovarët në Ambasadën e Zvicrës, ambasada i ka mundësuar pajisjen me vizë afro 34.000 kosovarëve.
Saktësisht nga Ambasada e Zvicrës janë lëshuar 33.804 viza, deri më 31 tetor 2022.
Nga Ambasada e Zvicrës kanë njoftuar po ashtu se në kuadër të aplikimeve për vizë ishin gjithsej 36.484 viza afatshkurte apo viza të njohura si “Shengen”, apo të cilat shfrytëzohen deri në 90 ditë në gjysmë viti.
Ndërsa në vitin 2021, ishin gjithsej 19. 737 qytetarë të Kosovës të cilët kanë aplikuar për vizë në kuadër të Ambasadës së Zvicrës.
Pavarësisht numrit të madh të qytetarëve të cilët janë pajisur me viza, kërkesat e qytetarëve për të lëvizur nga Kosova janë ende të larta.
Ndryshe qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në Ballkan nuk kanë liberalizim të vizave.
Pamundësia e udhëtimit pa viza në Evropë, shpesh herë ka bërë që kosovarë të jenë edhe më të indinjuar me Bashkimin Evropian, shkruan lajmi.net.
Shpresa e radhës për kosovarët në kuadër të liberalizimit të vizave vazhdon të mbetet viti 2024.