Për karrierën, hapat që ka ndjekur, vështirësitë, emocionet, rolet, projektet e reja, flet në një intervistë ekskluzive për InLajmin, mezosopranoja e njohur shqiptare që preku majat e suksesit në skenat më të mëdha botërore të artit, Flaka Goranci.
Flaka e ka nisur karrierën e saj artistike qysh në moshë të re dhe ka arritur të përformojë në skenat më prestigjioze në botë duke nisur që nga Austria, Belgjika, Izraeli, Anglia, Gjermania, Kroacia e shumë vende të tjera.
Së fundi, Flaka është duke lansuar edhe një këngë, e cila titullohet “The Speech of Love”, tekstin dhe muzikën e së cilës e ka realizuar vetë.
“The Speech of Love” është dedikim për të gjithë njerëzit, të cilët i bashkon “Ishulli i Dashurisë”.
InLajmi: Kur e keni nisur karrierën tuaj artistike, a na tregoni për vështirësitë që i keni hasur në fillim të karrierës?
Flaka Goranci: Vitet e studimit në Akademinë e Arteve në Tiranë kanë qenë vite shumë të rëndësishme, duke shërbyer më pas në studimet për Master në Tel Aviv dhe tashmë në karrierën time. Vështirësia më e madhe në këtë profesion është kontinuiteti, që do të thotë të jesh gjithmonë në formën më të mirë. Për të mbajtur formën ose për të bërë progres duhet t’i kushtosh çdo ditë kohë profesionit.
InLajmi: Sa ka qenë sfiduese që një artiste kosovare të arrijë sukses dhe të përformojë në skenat botërore?
Flaka Goranci: Paragjykimet kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot, edhe në fushën tonë, por kjo gjë më ka dhënë akoma më shumë forcë për të ndjekur rrugën time.
InLajmi: Mes Kosovës, Shqipërisë, Austrisë dhe vendeve të tjera ku keni përformuar, a do ta veçonit një moment që ju ka falur emocione të forta?
Flaka Goranci: Koncerti promovues i CD-së sime në Prishtinë ka qenë mjaft emocionues, ku salla ishte e stërmbushur dhe duartrokitjet ishin frenetike. Mezi pres të kthehem në Kosovë për një koncert në 2023.
InLajmi: A mund të flisni për rolin tuaj të preferuar që e keni pasur në skenë?
Flaka Goranci: Padyshim, krahas shumë roleve të realizuara tashmë në skena te ndryshme, Carmen është një rol shumë kompleks, të cilin do ta veçoja deri tani. Mirëpo, në vitin 2023 më pret një debutim të cilin e kam ëndërruar gjatë. Është roli i Maria në “Maria de Buenos Aires”, një operë tango në gjuhën spanjolle nga kompozitori i famshëm argjentinas, Astor Piazzolla.
InLajmi: Si është pritur nga publiku projekti juaj “La femme”, a jeni ndarë e kënaqur me suksesin e këtij projekti?
Flaka Goranci: Projekti ”La Femme” është pritur më mirë sesa që e kam menduar. Ka marrë një vëmendje mediatike shumë të madhe në Austri, Gjermani, Kosovë, Shqipëri, Belgjikë, Angli e shumë e shumë vende te tjera.
InLajmi: Si ndjeheni kur të tjerët ju quajnë “Carmeni shqiptar”, a i gëzoheni këtij krahasimi?
Flaka Goranci: Sa herë që përmendet emri shqiptar për të mirë gëzohem.
InLajmi: Cila ka qenë skena më prestigjioze që keni përformuar?
Flaka Goranci: Theater an der Wien në Vjenë, Musikverein poashtu në Vjenë, Konzerthaus, Vatroslav Lisinski në Zagreb etj.
InLajmi: Kujt ia atribon suksesin e arritur, a do të veçonit një person që ju ka motivuar më së shumti gjatë këtij rrugëtimi?
Flaka Goranci: Janë shumë persona që kanë mbështetur rrugën time, duke filluar nga familja ime, pedagoget e mia në Shqipëri, Israel dhe Austri. I jam secilit shumë falënderuese.
InLajmi: Cili është mesazhi i juaj për artistët e rinj, që sapo i janë bashkuar studimeve të artit dhe ndoshta kanë frikë ta sfidojnë veten?
Flaka Goranci: Profesioni i artit shpeshherë të vë në sfidë. Nëse nuk je trim, atëherë duhet ta lejosh që të të bëjë, në të kundertën ia vlen të ndërrohet profesioni, sepse jeta është shumë e shkurtër për të jetuar me frikën dhe pakënaqësitë që ky profesion mund t’i sjellë.
InLajmi: Për fund, na thoni urimin tuaj për vitin 2023, çfarë shpresoni për këtë vit?
Flaka Goranci: Viti 2023 nuk do të jetë i lehtë për botën në përgjithësi. Prandaj, lutem për durimin e njerëzve për të tejkaluar edhe këtë sfidë që po na pret. Lutem për dashuri, mirëkuptim dhe rehati shpirtërore. Shqipe Vishaj /InLajmi/