Gert Shehu, i arrestuar pasi goditi me grusht kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, kërkon të dalë nga qelia.
Nëpërmjet avokatëve të tij ai dorëzoi këtë enjte një kërkesë në Gjykatën e Apelit të Tiranës ku kërkon të lirohet.
Shehu kërkon të hetohet në gjendje të lirë me argumentet se duhet të qartësohet gjendja e tij e shëndetit mendor, teksa nëpërmjet avokatëve të tij përmend si rrethanë lehtësuese faktin që vetë kreu i opozitës ka deklaruar se e ka falur.
Por me të njëjtat argumente, Prokuroria kërkon që ai të qëndrojë në burg pa afat, me qëllim daljen e akt-ekspertimit psikologjik që do konfirmojë nëse 31-vjeçari ka apo jo probleme të shëndetit mendor, transmeton Tv Klan.
Ai u la në burg pa afat nga Gjykata e Shkallës së Parë për akuzat e goditjes për shkak të detyrës dhe plagosjes së lehtë me dashje.
