Shqipëria firmosi marrëveshjen për blerjen e flotës së dronëve “Bayraktar” dhe fillimisht do të ketë në dispozicion 3 të tillë. Avionët, të cilët drejtohen pa pilotë, sipas kryeministrit Edi Rama janë të nevojshëm jo vetëm në kohë lufte, por edhe në paqe, në monitorimin e territorit.
“3 dronët që do të vijnë së pari, do të jenë të armatosur dhe do të jenë të gatshëm për çdo rast, ku dhe kur dhe shpresoj të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë fort të sigurta, kur pra dhe ku siguria jonë kombëtare të jenë nën kërcenim, në këtë rast do të jemi gati për luftë”, u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, flota e dronëve do të ketë edhe një sërë funksionesh të tjera.
“Dronët do të na ndihmojnë që të montojmë trafikun, do të na ndihmojnë për të ndjekur personat e kërkuar, pra do t’i shërbejnë dhe policisë dhe për të monitoruar tërësisht territorin dhe të arrijnë kapacitet të fjalës së fundit për të luftuar kultivimin e narkotikëve në terren, për të monitoruar zjarret dhe pyjet. Nga lufta kundër ndërtimeve të paligjshme, gjithashtu dhe shfrytëzimit të pronave”, tha kreu i qeverisë.
Rama falënderoi në mënyrë të veçantë presidentit turk Erdogan për realizimin e kësaj marrëveshjeje. Ndërsa CEO i firmës ‘Bayraktar Technology’ tha se marrëveshja nuk është vetëm për blerjen e dronëve, por edhe në trajnimin e punonjësve.
“Ne si “Bajraktar” do të bëjmë të pamundurën që ju të merrni më të mirën nga kjo teknologji, me e avancuara në llojin e vetë. Jemi këtu për ti mbajtur këto sisteme sa më të përditësuara. Këto teknologji janë asete të vërtetuara që janë vërtet të rëndësishme dhe nuk janë mjete që do të përdoren për kohë lufte, por edhe në kohë paqeje”, tha Lütfü Haluk Bayraktar, CEO i kompanië ‘Bayraktar Technology’.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se shfrytëzimi i këtyre aseteve do të rrisë cilësisht kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile në drejtim të kontrollit të territorit dhe për të parandaluar fenomenet e paligjshme, përcjell Tv Klan.
Dronët turq “Bayraktar” po rezultojnë nga armët më të suksesshme në luftërat e viteve të fundit. Ata avantazhin e armenëve dhe i dhuruan fitoren Azerbajxhanit në konfliktin e Nagorni-Karabakut në 2020-ën. Por fama më e madhe ishin suksesi i ushtrisë ukrainase për të ndalur atë ruse duke shtuar klientët e saj në mbarë botën.
