31-vjeçari, Gert Shehu i cili sulmoi kreun e PD, Sali Berisha ka dhënë deklarime kontradiktore përpara oficerëve të policisë lidhur me arsyet që e shtynë atë për të ndërmarrë aktin e paprecedentë.
Në njërën nga deklaratat, ai shprehet se kishte inat personal. Në të tjera mësohet se nuk ka dhënë arsye.
Por për shkak të paqëndrueshmërisë në deklarime, prokurori i çështjes ka kërkuar ekspertim psikologjik të të riut.
Aktualisht 31-vjeçari vijon të mbahet në Spitalin e Traumës, aty ku dhe u prangos pasi iu komunikua akuza e ‘Goditjes për shkak të detyrës’.
Për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, Policia ka marrë në pyetje të ëmën e 31 vjeçarit, e cila përpara grupit të hetimit ka pohuar se i biri saj ka shfaqur herë pas here probleme të shëndetit mendor, shkruan Klan Tv .

Gjithashtu nga ana e uniformave blu është krijuar një itinerari i lëvizjeve të kryera nga i riu përpara se të sulmonte ish-Kryeministrin, Berisha.