Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me rastin e vrasjes së 35-vjeçares në oborrin e QKUK-së kanë punuar intensivisht me njësitet hetimore për kapjen e të dyshuarit, përcjell InLajmi.
Sipas, Policisë të premten kanë rreth orës 13:00, pjesëtarët policorë kanë arritur ta lokalizojnë vendnodhjen e të dyshuarit i cili gjendej në fshatin Davidovc të Komunës së Shtimes.
Policia, tutje bëri të ditur se i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë nuk është dorëzuar dhe me një armë zjarri i njëjti ka kryer vetëvrasje.
Procedurat lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar nga Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Prishtinë, 02 dhjetor 2022
Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur më datë 30 nëntor 2022, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë, Policia e Kosovës me njësitet e saj hetimore dhe operative, në koordinim me Prokurorinë e shtetit, ka punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
Bazuar në hetimet intensive dhe veprimet operative-hetimore, sot më 02 dhjetor 2022, rreth orës 13:45 njësitet policore kanë arritur të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, S. H, viti i lindjes 1991, i cili gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes.
Policia e Kosovës me njësitet relevante, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore përfshirë masat e sigurisë në këtë lokacion, si dhe ka aplikuar masat e negocimit me personin e dyshuar për t’i mundësuar të njëjtit dorëzimin.
Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes.
Lidhur me rastin janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përderisa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës./InLajmi/