Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ditën e premte është takuar me qytetarët e Drenasit, përcjell InLajmi.
Haradinaj në këtë takim diskutoi sa i përket proceseve të rëndësishme që vendi po i kalon këto ditë, ai gjithashtu tha se Kosova ka mundësinë të përfundojë marrëveshjen për njohje reciproke me Serbinë ku kjo do t’i hapte rrugën vendit tonë për anëtarësim në NATO
Ai u shpreh se Kosova duhet të ketë kujdes në koordinim me aleatët pasi që vendimet qe merren tani do të ndikojnë edhe për gjeneratat e tanishme por edhe për brezat qe vijnë
Haradinaj gjithashtu ka shprehur pakënaqësitë sa i përket udhëheqjes së tanishme duke thënë se dështimet në sferën ekonomike dhe energjetike nuk po mungojnë.
Postimi i plotë i tij:
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga shtete të respektuara, ka institucionet dhe ushtrinë e vet. Në këtë fazë ne kemi mundësinë që të përfundojmë marrëveshjen për njohje reciproke me Serbinë, që do t’i hapte vendit tonë rrugën për antarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Edhepse shumë herë kam provuar ta këshilloj kryeministrin, lidershipi i vendit tonë ka dështuar ta kuptojë rëndësinë e rolit amerikan në këtë proces.
Për këtë proces jetik për Kosovën, bashkëbisedova sonte me qytetarët në Drenas.
Gjithashtu kam shprehur besimin tim të plotë për aleatët tonë strategjik dhe kam shprehur shqetësimin tim për paaftësinë dhe dështimet e qeverisë së Kosovës në sferën ekonomike dhe energjetike.
Kosova duhet të bëjë hapa shumë të kujdesshëm në koordinim me aleatët, pasi që vendimet që merren tani, do të ndikojnë jo vetëm për gjeneratën tonë, por edhe për brezat që vijnë. /InLajmi/