Të hënën ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal për qytetarët e Kosovës, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Lidhur me këtë, nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Telegrafin, kanë bërë të ditur se numri i vaksinave në tërë territorin e Kosovës është 85, 000. E në kuadër të kësaj shpërndarja e tyre është bërë në të gjitha QKMF-të.
“Ju informojmë se sasia e vaksinave kundër gripit sezonal është 85,000 vaksina dhe shpërndarja e tyre është bërë në të gjitha QKMF-të në nivel vendi”, deklarojnë nga MSH.
Kurse në komunën e Prishtinës, këtë vit vaksinimi do të bëhet në 13 QMF-ja, ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashi.
Tutje Gashi tha se për momentin në stok janë 6.500 vaksina dhe se të planifikuara deri në përmbylljen e procesit janë 11.000 vaksina kundër gripit sezonal.
“Këtë vit vaksinimi kundër gripit sezonal është decentralizuar nga një njësi në 13 QMF. Si rezultat i saj sot nuk është vërejtur grumbullim i qytetareve. Për momentin kemi 6,500 vaksina ne stok, ndërsa të planifikuara janë 11,000 vaksina”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve sidomos personave më të moshuar dhe personave me sëmundje kronike që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal