Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur shumë i lumtur që fëmijët po kthehen të hënën në shkollë, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se mësimdhënësit të hënën po shkojnë në shkollë me kokulur për shkak sulmeve të shumta nga Qeveria e Kosovës.
Gjithashtu ai tha se përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë.
Postimi i plotë i tij:
Jam shumë i lumtur që fëmijët po kthehen nesër në bankat e shkollës. Mirëpo, jam edhe i shqetësuar për modelin qeverisës që po instalohet. Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kokëlartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar.
E megjithatë, duhet ta rikujtojmë se, përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë. Por, ata meritojnë edhe trajtim të drejtë që e ruan dinjitetin e tyre. Prandaj, kërkesat e tyre, me apo pa grevë, duhet të adresohen dhe të plotësohen sa më shpejt. /InLajmi/