Nesër në Gjilan do të mbahet protestë, ndërsa kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova do ta mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.
Zgjim Hyseni nga PSD-ja, partia që po e organizon këtë protestë, tha në Frontal të T7 se ajo “do të jetë paqësore”.
“Protesta do të jetë paqësore. Janë të ftuar dhe do të mbajnë fjalime njerëzit, përfaqësues prej organizatave të veteranëve, prej PSD-së, prej familjeve të dëshmorëve, eventualisht edhe përfaqësues të shoqërisë civile të Gjilanit”, tha Hyseni.
Protesta, siç tha ai, do të fillojë në orën 10 dhe do të zgjasë aq sa takimi i Trendafilovës.
Hyseni tha se protesta do të jetë “masive”.
“Kemi konfirmime që protesta ka me qenë masive. Duke pasur parasysh edhe faktin që nesër është e mërkurë, pra ditë pune, protesta ka me qenë masive”, tha Hyseni.