Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar për ndarjen e 7.000 eurove për 20 student të përzgjedhur e që do të studiojnë në nivelin master, në universitetet më prestigjioze në botë, përcjell InLajmi.
Nagavci ka thënë se janë gjithsej 20 studentë të cilët do të përfitojnë nga kjo mbështetje, duke theksuar se përparësi do të kenë ata që studiojnë në fushat e inxhinierisë dhe teknologjisë informative e të komunikimit.
Gjithashtu ajo potencoi se për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra.
Postimi i plotë i saj:
Kam kënaqësinë të ju njoftoj se kam nënshkruar sot vendimin për shpalljen e thirrjes publike për mbështetje financiare për studentët që janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në top universitetet më prestigjioze në botë.
Për të 2-tin vit me radhë po mbështesim të rinjtë tanë që studijojnë në këto universitete dhe kjo është vetëm njëra nga mbështetjet financiare që jemi duke ofruar për të rinjtë.
Shuma maksimale e kësaj mbështetje financiare do të jetë 7.000 euro për student/e ndërsa numri i përfituesve do të jetë 20.
Përparësi do të kenë ata që studiojnë në fushat e inxhinierisë dhe të teknologjisë informative e komunikimit, aplikantët me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe aplikantët të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike.
Për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra. /InLajmi/