Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të bllokadave të vendosura.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë nisur vendosjen e bllokadave në rrugët që çojnë drejt këtyre 2 pikëkalimeve kufitare, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, por edhe në pjesë të tjera në veri.
“Njoftohen të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë
Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi 2 vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, njofton EO
Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë.