Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, lidhur me marrëveshjen e MMC-së, duke thënë se Kurti ka gënjyer dhe e vërteta verifikohet shumë lehtë, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se është pikërisht qeveria Kurti e cila e ka vonuar marrjen e programit Kompakt i cili u miratua për Kosovën në dhjetor të vitit 2018.
Më tej kreu i PDK-së, theksoi se Qeveria Kurti nuk është qeveri për të sjell investime në Kosovë po për të sjell vetëm vonesa të investimeve kapitale.
Postimi i plotë i tij:
Kryeministri Kurti sot e përsëriti një të pavërtetë se kinse Qeveria e tij e fitoi Programin “Compact” nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për shkak se “është rritur vlerësimi për demokraci e sundim të ligjit” që ka mundësuar kalimin nga Programi “Threshold” në Programin “Compact”.
Kjo është gënjeshtër klasike dhe e vërteta verifikohet shumë lehtë!
MCC tash e 3 vjet e ka aprovuar Programin “Compact” për Kosovën! Bordi i MCC e ka marrë vendimin në dhjetor të vitit 2018. Janë pikërisht vonesat e Qeverisë Kurti që e kanë vonuar marrjen e mëhershme të këtij granti dhe që kanë shkaktuar anulimin e investimeve në infrastrukturën e gazpërçuesit, si investim shumë më i nevojshëm e më strategjik për Kosovën se sa bateritë akumuluese.
Kjo Qeveri nuk është qeveri që sjell investime, sepse është Qeveri jokompetente që sjell vetëm vonesa dhe tkurrje të investimeve kapitale. /InLajmi/