Rëndësia e përshpejtimit të procesit të funksionalizmit të Fondit Sovran, u theksua nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran, përcjell InLajmi.
Në këtë takim, të 3-tin me radhë të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran u diskutuan dhe miratuan hapat e radhës për funksionalizimin e këtij Fondi.
U diskutua për funksionalizimin e grupit punues që do jetë përgjegjës për hartimin e projektligjit për Fondin Sovran. Nisur nga propozimi që derivon nga Koncept Dokumenti i miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, u miratua vendimi për emërimin e Rrezarta Pllana, Koordinatore për funksionalizimin e Fondit Sovran.
Koordinatorja do të jetë përgjegjëse për strukturimin e ndërmarrjeve publike, si dhe propozimin për themelimin e grupit të ekspertëve, që do bëhen pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit për Fondin Sovran.
Në takim morën pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi. /InLajmi/