Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përcjell InLajmi.
Gjatë takimit, kryetari Abdixhiku dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, diskutuan për situatën e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia rikonfirmoi Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet 2 vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës.
Kryetari Abdixhiku, ndër të tjera, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit.
Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit. /InLajmi/