Halil Hasani, 77-vjeçar nga fshati Çabër i Komunës së Zubin Potokut, jeton me besimin se 4 djemtë e tij, të zhdukur për më shumë se 20 vjet, janë ende gjallë diku në Serbi dhe se një ditë do të kthehen.
Hasani thotë se djemtë e tij janë rrëmbyer nga forcat serbe në fshatin Zhabar të Mitrovicës, më 8 qershor të vitit 1999, pak ditë para se të përfundonte lufta në Kosovë.
Atëbotë, djali i madh, Fadili, ka qenë 32 vjeç, Gazmendi 24 vjeç, Armendi 20 vjeç dhe Hasani 15 vjeç.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, babai i tyre thotë se, menjëherë pas luftës, ka vendosur kontakte me së paku 2 persona të nacionalitetit serb, të cilët, siç tregon, i kanë thënë se djemtë e tij janë dërguar në Serbi si “robër lufte”.
“Ata, sipas informatave që i kam unë, më së pari kanë shkuar në Beograd. Në Beograd kanë qëndruar më pak se një muaj. Më pas i kanë çuar në Pozharevc [qytet i Serbisë]”.
“Unë i kam pasur lidhjet dhe thuajse çdo javë kam folur me njërin [prej kontakteve] dhe me një tjetër çdo 2 javë. Ata gjithmonë më kanë thënë se gjenden gjallë”, rrëfen Hasani.
“Ka shumë të gjallë… më shumë ka të gjallë sesa që mendoni ju, dhe i mbajnë për të kushtëzuar… Ata janë robër lufte”, janë fjalët e njërit prej kontakteve të tij, sipas Hasanit.
Mosbesimi ndaj institucioneve
Hasani nuk do që t’i identifikojë personat, me të cilët thotë se ka biseduar. Ai thotë se informatat që i ka marrë prej tyre, ua ka ofruar përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.
Por, përfaqësuesit e institucioneve, thotë ai, i kanë thënë se burimet e tij po e gënjejnë dhe se informatat janë të rrejshme.
Hasani thotë se, më vonë, përfaqësuesit e institucioneve ia kanë ofruar atij letërnjoftimet e gjetura të 2 prej djemve të tij.
“Më thanë: eja merri. Nuk kam shkuar t’i marr. Pse? Po, ku ishin qe 10-15 vjet ato letërnjoftime, që nuk i treguan? Ku ishin dhe kush i mbajti”, pyet Hasani.
Ai thotë se ka refuzuar të japë mostrat e gjakut të tij, që do të ndihmonin identifikimin eventual të djemve të tij – përmes metodës së ADN-së – në rast se ata gjenden në mesin e mbetjeve mortore në varreza masive ose në morgun e Prishtinës.
Arsyen e refuzimit, Hasani e shpjegon kështu:
“Sepse, nuk iu besoj. Sa për eshtra, kurrë mos i gjetsha. Unë mendoj se ka të gjallë ende dhe i pres të gjallë. Sa për eshtra, çfarë më duhen eshtrat e rrejshëm…”.
Në morgun e Prishtinës, tash e sa vite, mbeten rreth 400 mbetje të paidentifikuara mortore të personave të zhdukur gjatë luftës.
Kjo, për faktin se shumë familjarë hezitojnë të japin gjak për analizën e ADN-së, që bën identifikimin, kryesisht për shkak të mosbesimit në institucione.
Gjatë viteve, ka pasur raste edhe kur mbetjet janë identifikuar gabimisht, në bazë të metodës tradicionale të identifikimit, e cila bazohet në të dhënat antropomorfe, në rrobat që kanë pasur veshur viktimat ose në objektet e gjetura në varre.