Kurti e përshëndeti themelimin e Distriktit dhe tha se shpreson se ky distrikt do të shërbejë si mundësi edhe më e madhe për të rritur intensitetin dhe efektivitetin e misionit të Rotarianëve, e që është shërbimi dhe ndihma për komunitetin përmes promovimit të paqes, luftimit të sëmundjeve, sigurimit të ujit të pastër, kujdesit për mjedisin, mbështetjes për arsimin dhe të atyre në nevojë, si dhe ndihma në zhvillimin e ekonomive lokale.
Kryeministri ka folur për të shërbyerit si e përbashkëta e Rotarianëve me qeveritarët. “Edhe ne si politikanë jemi në shërbim të të tjerëve. Sepse edhe fjala ministër në etimologjinë e saj nga latinishtja do të thotë shërbyes, do të thotë shërbëtor. E kryeministër, i bie i pari midis shërbëtorëve”, ka thënë ai dhe ka shtuar se “derisa rotarianët çdo ditë po punojnë për të shërbyer komunitetin, edhe ne si Qeveri përmes politikave tona po synojmë objektivat e njëjta, ku përmes masave të ndryshme po ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë”.
Kurti e ka vlerësuar punën e Rotarianëve një vlerë të çmueshme për shoqërinë dhe, siç ka thënë ai, edhe përmbushje të misionit njerëzor, e që është përmirësimi i mirëqenies së gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh religjionin, gjininë, moshën, etninë, apo prejardhjen./InLajmi/