Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Disaporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke falëndëruar shqiptarët anembanë botës, NATO-n dhe KFOR-in, por ajo çka vihet re është se Gërvalla nuk e përmend askund kontributin e UÇK-së për luftën e Kosovës, përcjell InLajmi.
Gërvalla thotë se mrekullia e 23-vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të shqiptarëve anembanë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Tutje, ajo tha se në këtë ditë i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, e që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sipas ministres, 12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë i saj:
Të gjithë shqiptarëve anembanë, urime dita e çlirimit të Kosovës.
Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vet Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë, kur jemi të bashkuar.
Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm.
12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës. /InLajmi/