Sulmi rus mbi Ukrainën nuk është duke e vënë Serbinë në pozicion të pafavorshëm siç po perceptohet nga shumë shtete.
Kështu vlerësoi, shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi.
Sipas Surroit presidenti serb, Aleksander Vuçiq, po i përdor zhvillimet në lindje të kontinentit për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Rusia.
“Presidenti Vuçiq është duke e përdorur për të mirën e tij një pozicion i cili dukej i disfavorshëm gjeopolitik, por për të është i favorshëm. I disfavorshëm në kuptimin që shumë vende, përfshirë edhe Kosova, e perceptojnë Serbinë si zgjatje gjeopolitike të Rusisë, por presidenti Vuçiq është duke e përdorur atë duke u vendosur si një shtet që është në gjendje që të lëvizë drejt perëndimit, por e ka çmimin e vet për këtë punë dhe derisa të vendoset ky çmim ai është duke përdorur”.
“Nga ana tjetër duke i thënë edhe Rusisë që është një vend i cili mund të jetë i afërt me Rusinë dhe ka një çmim për këtë dhe çmimi për këtë është gazi i lirë dhe një kontratë 3- vjeçare për gaz, ky bilanc deri tani i ka funksionuar zotit Vuçiq dhe në momentet kur ushtrohet trysni ndaj tij për çështjen e Rusisë, ai e nxjerr në pah kartën e Kosovës dhe thotë që do të jetë koperativ në çështjet e Kosovës”, tha Surroi.
Surroi, tutje e cilësoi Vuçiqin si lojtarin më të shkathët të rajonit, shkruan Klankosova.tv.
“Zoti Vuçiq është lojtari më i rryer të themi në regjion dhe i shkathët padyshim dhe duke përdorur të gjitha atë atutë përfshirë edhe ato që janë destabilizuese, për shembull rastin e Malit të Zi, apo përpjekjeve të përhershme destabilizuese në Kosovë” tha Surroi.