Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pas deklaratës së Fondit Montetar Ndërkombëtar, të cilët shprehen qartë se janë kundër tërheqjes së parave nga Trusti, pasi kjo sipas tyre e rrezikon ekonominë e Kosovës, përcjell InLajmi.
Pro Trustit kanë qenë partitë opozitare, andaj pas deklaratës së FMN-së, Kusari-Lila ka thënë se këta deputetë me përkrahjen e iniciativave si Trusti dhe të tjera po rreshtohen përkrah ideve dhe propozimeve populiste e destruktive për ekonominë e vendit, që po e çojnë Kosovën në shkatërrim financiar.
Deputetja thotë se reagimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me propozimin e PDK-së për Trustin, që gjeti mbështetje nga LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe po e dëshmon se sa destruktive janë këto parti opozitare.
Kusari-Lila u drejtohet partive opozitare, duke iu thënë “ Nuk rrënohet shteti pse keni humbur pushtetin”, sipas saj kjo logjikë tregon shumë qartë paaftësinë për të menduar propozime që ndihmojnë qytetarin dhe nuk rrënojnë shtetin.
Postimi i plotë i saj:
Udhëheqësit opozitarë bashkë me ekonomistët që i mbështesin ata, akuzojnë pozitën për vendime populiste, përderisa vetë nuk bën asgjë më shumë se të rreshtohen pas ideve/propozimeve populiste dhe destruktive për ekonominë e vendit deri në shkatërrim financiar të shtetit.
Stimulohet rrënimi i stabilitetit financiar, nxitja e trazirave sociale dhe rrezikimi i funksionimit të Agjencive Rregullative vetëm pse ata e humbën pushtetin.
Reagimi i Fondit Monetar Ndërkombtar lidhur me propozimin e PDK-së, mbështetur nga LDK, AAK dhe Lista Serbe për tërheqjen e 30% të Trustit si dhe procesin gjyqësor për anulimit të tarifave të energjisë, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar, tregon seriozitetin e situatës, përfshirë rrezikimin e sistemit financiar dhe rregullativ në Kosovë, si dhe është dëshmi sa popullist dhe destruktiv është propozimi i partive të opozitës.
Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin. Kjo logjikë tregon shumë qartë paaftësinë për të menduar propozime që ndihmojnë qytetarin dhe nuk rrënojnë shtetin. Kjo nuk është ekonomi, është mendësi sot për nesër. /InLajmi/