Dje në fshatin Shtaval të Sjenicës kanë nisur gërmimet pasi dyshohet për një varrezë masive me trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Dje, me zyrtarë qeveritarë për persona të pagjetur ishim ne Shtaval afër minierës së Sjenicës në Serbi, bëri të ditur Kushtrim Gara, anëtar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Sipas tij, është me rëndësi që dje kanë nisur gërmimet duke shtuar se sfidë për organet tona ka qenë dhe mbetet ngase politizimi ka qenë e vazhdon të jetë nga pala serbe.
“Duke pasur parasysh politizimin e kësaj çështjeje nga pala serbe, çështje më vete është mungesa e bashkëpunimit në ofrimin e të dhënave nga arkivat e tyre”, theksoi Gara në edicionin qendror të lajmeve.
Ai më tej theksoi se pengesa kryesore që vjen nga pala serbe është mungesa e ofrimit të informatave nga pala serbe.
“Meqë është lokacioni afër minierës së Shtavalit është sfiduese në rast të mungesës së bashkëpunimit nga pala serbe”, theksoi ai.
Ai më tej shtoi se për këtë rast janë siguruar të dhëna nga imazhet satelitore përmese Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ku edhe mbi të dhënat e tyre ekspertët tanë duke analizuar faktet kanë mundur ta saktësojnë lokacionin ku mund të dyshohet për varrezë masive, shkruan RTK.
“Pa një koordinim me palën ndërkombëtare e me palën serbe apo me trysninë e palës ndërkombëtare ndaj palës serbe, është vështirë të dihet që gërmimi apo vlerësimi i lokacionit të përfundojë në një afat sa më të afërt kohor”, përfundoi Gara.