“Për fëmijët” nuk është një dhuratë, por një mallkim raketa me atë mbishkrim e lëshuar nga Rusia në një stacion treni në qytetin lindor të Kramatorsk, aty ku mijëra civilë po përpiqeshin të largoheshin nga rajoni i Donbasit.
Pamje rrënqethëse erdhën nga Ukraina, teksa raportohet për mbi 50 viktima, 5 prej të cilëve fëmijë, dhe rreth 100 të plagosur. Dhjetëra trupa shihen pranë valixheve të braktisura, në atë që po konsiderohet si ferri në tokë.
Aleksander Kochura, zyrtar i Policisë së Kramatorskut, tha: “Ka shumë të vrarë dhe plagosur këtu. Të pranishëm janë ambulanca, policë dhe zjarrfikës. Ka makina që po digjen këtu pranë. Ishte ferri në tokë”.
“E keqja nuk ka fund”, tha Presidenti Volodimir Zelensky.
Nëse nuk ndëshkohet, Rusia nuk do të ndalet”, vijoi më tej në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Megjithatë, Rusia ka mohuar autorësinë e sulmit ndaj civilëve. Ministria e Mbrojtjes e konsideroi atë që ndodhi në stacionin e trenave “një provokim”.
Moska pretendon se raketat taktike “Tochka-U”, mbetjet e të cilave janë publikuar në rrjete sociale, përdoren vetëm nga ushtria e Ukrainës.
Forcat e Kievit posedojnë raketat e prodhuara nga ish-Bashkimi Sovjetik në inventarin e tyre, por ato janë përdorur edhe nga rusët dhe forcat separatiste në të kaluarën, përcjell A2CNN.
Në mesin e këtyre akuzave ka ndërhyrë Uashingtoni. Vlerësimi fillestar i ekspertëve amerikanë të Pentagonit është se raketa që shënjestroi stacionin e trenave ishte me rreze të shkurtër, e qëlluar nga një pozicion i ushtrisë ruse brenda Ukrainës.