Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “nuk ka zgjidhje tjetër” pos të negociojë për fundin e luftës me Rusinë, edhe pse ai tha se negociatat janë të vështira për shkak shenjave që sugjerojnë se forcat ruse mund të kenë kryer mizori ndaj civilëve, që nxitën dënim nga komuniteti ndërkombëtar dhe shtuan thirrjet për hetime të krimeve të luftës.
Duke folur në një intervistë me gazetarët ukrainas, që u transmetua më 5 prill në transmetuesin shtetëror, Zelensky i quajti ngjarjet në qytetin e Buças si “të paharrueshme” dhe tha se “të gjithë ne, përfshirë edhe veten, do të perceptojmë edhe mundësinë e negociatave si një sfidë”.
“Së pari, sfida është e brendshme, është sfidë njerëzore. Më pas, kur e merr veten dhe duhet ta bësh, mendoj se ne nuk kemi zgjidhje tjetër”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas pritet që më 5 prill t’i drejtohet Kombeve të Bashkuar përmes video-lidhjes.
Intervista e Zelenskyt vjen vetëm një ditë pasi ai vizitoi Buçan, që gjendet në periferi të Kievit, ku zyrtarët ukrainas thanë se janë gjetur trupa të civilëve të vrarë. Trupa u gjetën në rrugë dhe shtëpi të këtij qyteti.
Pamjet nga Buça kanë nxitur dënim ndërkombëtar ndaj Rusisë, e cila ka mohuar se është përgjegjëse për vrasjet, përcjell REL.
Kryetari i Buças, Anatoliy Fedoruk, tha se vrasjet – ku vlerësohet se janë vrarë afër 300 civilë – ishin bërë “për t’iu hakmarrë rezistencës ukrainase”.