Akuzat për vrasjen e civilëve në Bucha nga ana e ushtarëve rusë janë vetëm një provokim i Ukrainës. Kështu u shpreh ambasadori i Moskës në OKB, Vasili Nebeniza, i cili tha se do t’i paraqesin Këshillit të Sigurimit, provat se gjithçka është një sajesë.
“Ne kemi prova që vërtetojnë këtë. Duam t’ia tregojmë ato Këshillit të Sigurimit sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të mos keq informohet nga narrative false e Kievit dhe sponsorët perëndimorë”, tha Nebeniza.
Mes provave që përmend Moska është videoja e kryebashkiakut të Buchës pas tërheqjes së ushtarëve ruse, ku ai shfaqet i lumtur dhe flet për fitore të ushtrisë ukrainase, pa përmendur krimet ndaj civilëve.
“Pasi forcat e armatosura ruse u larguan nga qyteza e Buchas në 30 mars, kryebashkiaku u shfaq në televizion për tre ditë me radhë dhe tha se jeta do t’i kthehej normalitetit. Forcat e armatosura ukrainase ishin atje dhe u rrugët u shfaqën pa trupa. Më pas, 3 ditë më vonë vendosën të inskenojnë diçka të tillë”, deklaroi Lavrov, përcjell A2CNN.
Por këto imazhe satelitore të Buchas, hedhin poshtë pretendimet e Moskës. Të realizuara më 19 mars në qytezën pranë Kievit, ato tregojnë objekte të errëta të shpërndara nëpër rrugë, pikërisht në pozicionet ku u gjetën trupat e viktimave civile pas largimit të ushtrisë ruse. Forcat e Moskës ishin në kontroll të qytetit në atë kohë, çka sugjeron se ishin njerëzit e Putinit dhe jo Kievi që kreu vrasjet.