Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka zbuluar shmangie taksash nga 3 subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës, e të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej mbi 600.000 euro, përcjell InLajmi.
Siç ka njoftuar këtë të shtunë Dogana e Kosovës është arritur të zbulohet se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke falsifikuar dokumente, e duke i shkaktuar kështu buxhetit të Kosovës dëme.
“Dogana e Kosovës në saje të aktiviteteve të kontrolleve të orientuara tek fushat me rrezikshmëri të lartë për shmangie të detyrimeve doganore, ka zhvilluar inspektime dhe është në vijim të inspektimeve tjera. Nga ky aktivitet zyrtarët doganor kanë gjetur dyshime për shmangie taksash nga 3 subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës”, njofton Dogana.
Më tej bëhet me dije se po ashtu është zbuluar lirimi i bazuar në dokumente të falsifikuara ndër vite, fillimisht nga këto 3 subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete.
Dyshimi është se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600.000 euro gjatë 3 viteve të fundit. /InLajmi/