Largimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës u zyrtarizua të martën, derisa pengesat kryesore që i ka pasur Kosova për vite me radhë në tentimin e saj për anëtarësim në këtë organizatë shumë të rëndësishme, fatmirësisht janë eliminuar tashmë, shkruan InLajmi.
Njohësi i çështjeve të politikës, Blerim Burjani, në një prononcim për Gazetën InLajmi, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i një rëndësie të veçantë.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ka rëndësi të veçantë por nuk është lehtë, po shpresojmë se politikisht do të përkrahet nga shtetet anëtare. Kosova njëherë duhet të aplikojë për anëtarësim, pastaj të loboj. Pra, ka shumë gjëra për të bërë deri te ajo rrugë”, tha Burjani.
Por, Burjani thotë se përveç Këshillit, është mirë që sa më shpejtë Kosova të anëtarësohet edhe në organizata të tjera ndërkombëtare si në OKB dhe OSBE.
I pyetur se a do të ndikoj ngecja e dialogut Kosovë-Serbi që të shkaktoj pengesa në Këshillin e Evropës, Burjani ka dhënë këtë përgjigje.
“Normalisht se ngecja ne dialog është vetëm njëri nga faktorët pengues ose i diskutueshëm në Këshillin e Evropës. Kjo pasi që duke marrë parasysh se rendi dhe të drejtat e njeriut, vetëqeverisja lokale janë profil i kësaj organizate që merren parasysh. E në fakt kjo mund të paraqet pengesë, por po e ritheksoj se hapin e parë Kosova duhet ta bëj, të aplikoj”, ka bërë me dije Burjani. /InLajmi/