Serbia mund të ketë plane për të sulmuar veriun e Kosovës, dhe një gjë të tillë ua kemi thënë prej muajsh partnerëve tanë ndërkombëtar, kështu është shprehur ditë më parë ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në një deklaratë dhënë për media, shkruan InLajmi.
E kjo deklaratë e saj mund të shkaktojë frikë dhe pasiguri tek qytetarët duke e ditur ndjeshmërinë që ka veriu i Kosovës.
Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë për Gazetën InLajmi ka thënë se një deklaratë e tillë në kohën e tensioneve në Ukrainë është jo e matur.
“Sa i përket situatës së sigurisë në vend mund të themi që edhe në bazë të rezolutës 1244 , Kosova konsiderohet proktektorat ndërkombëtar ku forca e vetme e sigurisë sipas rezolutës mbetet KFOR-i si mision i NATO-së”,tha Shala.
Më tej eksperti i problemeve të sigurisë tha se Kosova ka marrë masat e mundshme për të parandaluar ndonjë eskalim dhe se nuk ka vend për shqetësim.
“Pra nga situata e krijuar në Ukrainë mund të themi që Kosova ka marrë të gjitha masat e mundshme dhe skenarët për të parandaluar ndonjë eskalim të situatës”,tha më tej ai./InLajmi/