Gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën, ambasadori ukrainas bëri thirrje për një diskutim urgjent për ndalimin e fluturimeve përmes hapësirës ajrore në Ukrainë, transmeton InLajmi.
Sergiy Kyslytsya tha se Rusia “ka kryer një akt terrorizmi bërthamor” ndërsa bombardonte dhe konfiskonte termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë.
Ai tha gjithashtu se homologu i tij rus, Vassily Nebenzia, kishte gënjyer në komentet e tij. Nebenzia i tha këshillit se centrali bërthamor është plotësisht funksional dhe nuk ka asnjë kërcënim për lëshimin e materialit radioaktiv.
Disa punonjës përgjegjës për ruajtjen e sigurisë bërthamore në vend thuhet se janë vrarë nga ushtarët rusë, tha Kyslytsya,.
“Ndërtesa e njësisë 1, godina kryesore, është e dëmtuar. Mbikalimi i godinës speciale është i dëmtuar; linja telefonike është e ndërprerë dhe nuk është e disponueshme për momentin,“tha Kyslytsya.
Në një deklaratë të premten në mëngjes me orën lokale, Inspektorati Shtetëror Rregullator Bërthamor (SNRI) konfirmoi se termocentrali ishte i pushtuar nga forcat ushtarake ruse, por tha se zyrtarët mbetën në kontakt me menaxhimin e centralit.
Ai kërkoi veprim të qartë dhe vendimtar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.
Kyslytsya tha gjithashtu se “diskutimi urgjent” i zonës së ndalim-fluturimit “duhet të jetë një përparësi kryesore për këshillin e sigurisë”, shkruan CNN.
“Sot, i kam dërguar një letër presidentit të OKB-së, duke ia kujtuar vendimet e këshillit për zonën e ndalim-fluturimit gjatë konflikteve të mëparshme, në mënyrë që të parandalohen viktima të tjera civile,” tha ai. /InLajmi/