Pulmologu në Klinikën e Pulmologjisë, Flamur Marku, në një intervistë dhënë për Gazetën InLajmi, ka folur në detaje lidhur me pasojat që po i lë pas varianti Omicron në vend, si është gjendja e pacientëve me koronavirus në këtë klinikë, sa është numri i të prekurve me kancer të mushkërive në vend, po ashtu se cilat sëmundje tjera të mushkërive janë më të përhapura.
Këto dhe përgjigje të tjera mund t’i kuptoni në intervistën në vazhdim.
InLajmi: Numri i rasteve me koronavirus ka rënë dukshëm këto ditë, por si është gjendja në Klinikën e Pulmologjisë momentalisht?
Flamur Marku: Në Klinikën e Pulmologjisë gjatë javës së fundit fatmirësisht nuk kemi pacientë të shtrirë me koronavirus. Kjo, sepse në Klinikën Infektive ka pasur mjaftueshëm hapësira dhe atje janë rekomanduar të dërgohen.
Pra, nuk kemi pacientë të shtrirë me koronavirus, do të thotë tek ne janë vetëm rastet post-Covid ose me probleme të tjera. Pra kemi pacientë që i ka lënë koronavirusi me fibrozë ose pneumoni të rikthyeshme ose probleme të ndryshme pulmonare.
InLajmi: Sa është numri i pacientëve në gjendje më të rëndë, pra atyre post-Covid?
Flamur Marku: Janë 25 pacientë me post –Covid. Shumica janë në gjendje të rëndë dhe po ashtu ka edhe prej atyre që kanë nevojë pothuajse gjithë kohën për oksigjeno- terapi, por prej tyre janë 2 raste në gjendje me të vështirë, me oksigjen kontinuel, që i bie me maskë ose me sondë nazale.
InLajmi: A mund të themi se është më i lehtë dhe pa pasoja të mëdha Omicron, normalisht duke e bërë krahasimin tek pasojat që ka sjellë në fillim koronavirusi?
Flamur Marku: Me Omicron ka pas pacientë që janë prekur në mushkëri. Krejt, kjo varet kur është diagnistifikuar, si ka qenë trajtimi, dhe a ka qenë i vaksinuar.
Por, mund të them se është më i lehtë, në fakt është shumë më i lehtë, por ma të lehtë e ka bë edhe vaksinimi.
InLajmi: A mund të themi se jemi në fund të pandemisë, bazuar në rastet apo edhe simptomat më të lehta të Omicronit?
Flamur Marku: Secila strukturë e pandemisë që ka shkaktuar epidemia e kanë një periudhë kohore që fillon të rritet dhe pastaj shkon duke rënë.
Ne tanimë kemi kaluar 2 vjet që jemi me pandemi por besoj se jemi në fazën përfundimtare. Por se si do të ndodhë kjo, nuk dihet ende. Besoj se do të mbetet si grip në raste më pak por jo të shkaktoj pandemi. Duhet të vaksinohemi kur nuk kemi antitrupa, këtë po e ritheksoj.
InLajmi: Në vendin tonë kanceri i 2 më i shpeshti thuhet se është kanceri i mushkërive?
Flamur Marku: Në fakt statistikat e sakta botërore thonë se kanceri i mushkërive është numër një dhe që shkakton vdekshmëri te meshkujt së pari, derisa te femrat është ndër 3 kanceret më të shpeshta.
InLajmi: A mund të themi se koronavirusi i ka vënë në pah këtë sëmundje,apo mund të themi se e ka rritur kujdesin për kontrollë të mushkërive?
Flamur Marku: Njerëzit për shkak të frikës së virusit kanë bërë fotografime të mushkërive dhe pastaj kanë bërë kontrolle. Nuk është se sëmundja e koronavirusit ajo e cila e ka rritur zhvillimin së fundmi tek ne por mendoj se është rritur shumë vetëdijesimi sidomos për mushkëri.
InLajmi: Në cilin stad lajmërohen pacientët që diagnostifikohen me kancer të mushkërive?
Flamur Marku: Është shumë kulturë e keqe shëndetësore tek ne sepse pacientët vinë shumë vonë, do të thotë asnjëherë nuk vinë të bëjnë ‘screening’ të rregullta, fotografi të mushkërive, analiza të gjakut, pra të zakonshme. Vinë vetëm kur janë shumë të sëmurë, por jo kështu në kontrolle rutinore.
E kjo pastaj i shtynë ata që të lajmërohen te mjeku në stadin përfundimtarë, pra kur sëmundja ka avancuar.
InLajmi: Cila moshë mund të themi se është më e prekur nga kanceri i mushkërive?
Flamur Marku: Zakonisht janë të moshës më të vjetër, mbi 55-60, por kemi raste edhe me 50 vjeç.
Zakonisht nuk kemi mosha të reja, por fatkeqësisht që kjo është problem i kësaj sëmundje, pra fillon herët por simptomat i jep shumë vonë, Është sëmundje shumë tinëzare e që nuk jep simptoma fare në fillim.
InLajmi: Cilat janë simptomat e para që mund të na tregojnë se mund të jemi të sëmurë me këtë sëmundje?
Flamur Marku: Dhimbje gjoksi, kollitje me gjak, kjo shenjë sidomos është alarmante, humbja e peshës edhe kur nuk kanë aktivitete, pa pasur qëllim me humb peshën, dhimbja në një vend të caktuar, lodhja, molisja. Këto janë simptomat që na bëjnë me dyshu se diçka nuk është në rregull.
InLajmi: A mund të themi se cigarja është një prej shkaktarëve të sëmundjes së kancerit në mushkëri?
Flamur Marku: Botërisht shkaktari numër një i kancerit të mushkërive është duhani për shkak të elementeve toksike që shkaktohen nga ndezja, duhanpirjes pasive dhe sidomos te gjinia femër tash është bërë shumë problematike për shkak rritjes së konsumimit.
InLajmi: A ka më shumë të prekur me këtë sëmundje meshkuj apo gra?
Flamur Marku: Zakonisht meshkuj ka më shumë me kancer të mushkërive.
InLajmi: A është terapia e kushtueshme për personat me kancer të mushkërive?
Flamur Marku: Terapia që merret te ne, është për komplikimet si pasojë e asaj që shkakton një proces malinj në mushkëri dhe përreth tij krijohet një infeksion, pra përreth tumorit sepse aty është një nekriozë që e ka shkaktuar tumori. Terapia zakonisht është me antibiotik e të cilën terapi e kemi këtu, kurse terapia vitaminoze duhet të blihet. Nganjëherë është edhe e shtrenjtë për pacientë dhe nuk mbulohet nga ne. Këto vitamina janë shumë të domosdoshme sepse për një pacient me kancer duhet fillimisht të forcohet imuniteti që pastaj të mund ta përballojë trajtimin me kimioterapi.
InLajmi: Sa ka qenë numri i atyre që janë prekur me kancer të mushkërive vitin që e lamë pas si dhe dhe këtë fillim vit?
Flamur Marku: Ne çdo herë kur diagnostifikojmë, të dhënat i ruajmë, por Komiteti i kancerit ka të dhënat e sakta dhe unë nuk mund të flas me saktësi dhe shifra. Por mund të them se ka rritje të rasteve. Mund të them se janë rritur kërkesat për trajtim për ata persona që kanë probleme pulmonare, pra me kancer të mushkëriveBile vit pas vit po rritet numri i rasteve me kancer të mushkërive, pra bazuar në punën tonë ditore.
InLajmi: Sa janë gjasat që personat me kancer në mushkëri të shërohen?
Flamur Marku: Varësisht prej stadit dhe lokalizimit. Nëse ka një lokalizim të mirë është e mundshme ndërhyrja dhe kimioterapia dhe ka një prognozë më të mirë, një kohëzgjatje pak më të mirë të jetesës, por varet edhe nga tipi i kancerit.
InLajmi: Përveç kancerit cilat sëmundje të tjera janë më të shpeshta në Klinikën e Pulmologjisë edhe a janë shëruese?
Flamur Marku: Sëmundja më e shpeshtë është pneumonia ose ndezja e mushkërive, ndërsa për këtë sëmundje trajtimi bëhet me antibiotik edhe me oksigjeno terapi dhe është e shërueshme. Pastaj kemi edhe sëmundje të tjera siç është bronkiti kronik, astma, të cilat janë të mjekueshme por jo të shërueshme. Në momentin që përdoret terapi nuk ka rrezik, për jetën por është një sëmundje që mund të sjell komplikime dhe duhet të vazhdohet me terapi kur ka nevojë.
Pastaj janë sëmundje të tjera si bronhiti kronik, sëmundje që duhet të trajtohen me terapi me inhalatorë, të hapen rrugët e frymëmarrjes dhe pacienti mund të bëj një jetë normale. Pastaj sëmundje të tjera më të rralla si sarkoidoza kur rriten nyjet limfatike, sëmundje autoimmune, pastaj sëmundje të ndryshme profesionale si pasojë e punës ta zëmë te minatorët apo në fabrikë të çimentos të cilët mund të sëmuren me një fibrozë të mushkërive pastaj.
InLajmi: Po tuberkulozi, sa është prezentë në vendin tonë?
Flamur Marku: Tuberkulozi është sëmundja e shekullit të kaluar, që ka pas një rënie viteve të fundit. Por në vendin tonë kemi rritje të rasteve sidomos tek moshat e reja për tuberkulozin jashtë mushkërive që duhet një tretman më të gjatë. Fatmirësisht tuberkulozi është i shërueshëm.
InLajmi: Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohet Klinika e Pulmologjisë?
Flamur Marku: Çdo ditë e kemi problemin më të madh mungesën e hapësirave dhe mjekëve, e të cilat kërkesa i kemi drejtuar shumë shumë herë tek përgjegjësit.
InLajmi: Këshilla juaj si pulmolog, qoftë për koronavirusin, kancerin në mushkëri apo sëmundjet tjera?
Flamur Marku: Këshilla ime për ata me koronavirus është të mos neglizhohen simptomat, të kenë shumë kujdes për shëndetin, derisa ata pa koronavirus të respektojnë masat edhe të vaksinohen. Në anën tjetër tek pacientët me kancer në mushkëri, apeloj që mos tu ekspozohen ajrit të ndotur dhe të mos dalin pa maskë. Lindita Canolli-Fejzullahi /InLajmi/