
Arbnora Fejza-Idrizi nga Skenderaj, 3 herë me radhë ka hyrë në Librin e rekordeve Guinness. Rekordi i saj i parë ka qenë për lulen më të madhe në botë, vazon më të madhe dhe flamurin më të madh në botë.


Fejza –Idrizi në një intervistë për Gazetën InLajmi ka folur për këtë rrugëtim i cili sipas saj ka qenë aq i bukur dhe i veçantë por edhe me shumë vështirësi dhe sfida.

Sa e përkrahu shteti për këto rekorde, a iu bë ndonjë pritje për këto arritje, a presim rekorde të tjera nga ajo, sa është e vështirë puna me origami, këto dhe përgjigje të tjera mund t’i kuptoni në intervistën në vazhdim.
Gazeta InLajmi: Si nisi rrugëtimi juaj për të hyrë në Librin Guiness?

Arbnora Fejza Idrizi: Gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Edukimit kisha një lëndë të caktuar punë dore,(palosje letre). Teknikat e para i mësova aty por isha shumë kurreshtare të mësoja më tepër. Në vitin 2013 hapa ekspozitën e parë me 125 punime të artit origami dhe kjo ekspozitë zgjoi interes shumë të madh tek qytetarët e Mitrovicës. Në një intervistë pas kësaj ekspozite e pata cekur se shumë shpejt po synoj ‘Guinness’, ndërsa të gjithë patën ngelur duke më shikuar me habi, sikur donin të më thonin “Një ëndërr e parealizuar”!
Gazeta InLajmi: Ju 3 herë keni hyrë në Librin Guiness për disa punime mjaft të bukura nga letra. Na flisni shkurtimisht për këto punime?
Arbnora Fejza Idrizi: Pasi u pranua aplikacioni, problemi më i madh për mua ishte se a do të kemi mbështetje nga Komuna ime.
Por pasi shkuam në komunën e Skenderajt na priti atë kohë kryetari Bekim Jashari dhe na i ofroi të gjitha mundësitë për të filluar punën!
Filluam provën zyrtare dhe gjithçka shkoi mirë.
Rekordi i parë ishte” Lulja më e madhe në botë” e punuar vetëm me një lloj letre 13x13metra me 25 palosje teknika arti origami, këtë rekord më parë e mbanin disa persona në Francë. Ky rekord ka pasur shumë sfida dhe vështirësi.
Këtë rekord e realizova në vitin 2018 dhe befasia më e madhe ishte kur në email-in tim erdhi mesazhi nga zyrtarët e Guiness-it me titullin ‘Ti je fituese’. Ajo ditë ka qenë dita më e lumtur e jetës time, nuk dija si të veproja në ato momente, ishte diçka madhështore.
Mbas këtij projekti realizova në miniaturë “Vazon më të madhe në botë 3D” për nder të Pavarësisë së Kosovës. Me copat paraqita popullin shqiptarë të bashkuar, ndërsa me lulet dëshmorët dhe me flamujt shtetet që kanë njohur Kosovën. Ky projekt u pranua dhe mbas 13 ditë punë e realizuam vazon më të madhe 3D në botë. Projekti ishte gjigant 2.71×2.38 metra
Pas këtyre projekteve e punova flamurin më të madh në botë flamurin e shtetit të Kosovës me gjatësi prej 1.216m2.
Gazeta InLajmi: Sa ka qenë e vështirë e tërë kjo punë që nuk e hasim shpesh në vendin tonë?
Arbnora Fejza Idrizi: Sfida kam pasur shumë nga lodhja e tepërt dhe puna e rëndë pothuajse i gjithë grupi kemi pasur dëmtim të ligamenteve të duarve dhe të këmbëve. Disa nga nxënësit gjakonin nga gjunjët për shkak të vështirësive gjatë punës. Ne kemi punuar me një ekip shumë të madh, menaxheri Dan Qarkaj e arkitekti Avni Hetemi, profesorët mbikqyrës: Rexhep Uka, Gazmend Hamiti,Bislim Elshani,Remzije Shabani Beqa,Hamëz Bimbashi,procesi i punës është xhiruar dhe është dërguar për vlerësim tek zyrtarët e Guiness-it. Kemi pasur shumë stres e lodhje, madje kemi punuar nga 14 orë punë pa ndalur.
Gazeta InLajmi: Na përshkruani si jeni ndjerë për këto rekorde?
Arbnora Fejza Idrizi: Për secilin projekt jam ndjerë aq mirë saqë nuk mund as ta përshkruaj. Emocion, lodhje, e punë bashkë me ekipet, ndërsa në fund na është shpërblyer.
Gazeta InLajmi: Sa është e vështirë të bëhen punime prej letre?
Arbnora Fejza Idrizi: Origamin e kam përdorur që 10 vite dhe kjo teknikë është shumë e vështirë nëse studiohet në thellësi. Kjo punë don precizitet, angazhim sepse gjatë procesit të punës nuk të mundësohet rikthimi i punës.
Gazeta InLajmi: Kush ju ka mbështetur në këtë rrugëtim, mendoj sa keni pasur përkrahjen e shtetit?
Arbnora Fejza Idrizi: Për projektet me të cilat kam hyrë në Guiness kam pasur përkrahjen e ish kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe një numër të sponzorëve që na kanë mbështetur.
Por neve rekordmeneve Guinnes nuk na paguajnë, duhet ritheksuar këtë, andaj shteti i Kosovës asnjëherë nuk më ka shpërblyer me asgjë dhe jam shumë e zhgënjyer së paku njëherë nuk jam pritur nga asnjë institucion shtetërorë .
Gazeta InLajmi: A jeni duke punuar tash për tash në ndonjë projekt të ri të kësaj natyre, gjegjësisht a synoni përsëri rekorde apo do të ndaleni me ato 3 që i keni?
Arbnora Fejza Idrizi: Për vitin 2022 kam planifikuar 5 projekte të veçanta, secili më i vështirë se tjetri dhe sfida e radhës është numri më i madh i rekordeve brenda një viti. Me një projekt do ta përfaqësojë edhe Shqipërinë. Për më shumë detaje do të flasim së shpejti për juve.
Gazeta InLajmi: A keni pasur ndonjë rast kur i keni thënë vetes se nuk mundeni më?
Arbnora Fejza Idrizi: Rrugëtimi drejt suksesit ka qenë plotë me sfida. Asnjëherë nuk u ndala edhe pse nganjëherë mendoja se a do të mundem? A do të jem edhe unë pjesë e botës, pjesë e Librit Guinness? Nuk është e lehtë të jesh një femër e suksesshsme por familja, bashkëshorti dhe prindërit kanë qenë gjithnjë mbështetësit e mi, sidomos të jesh nënë e 3 fëmijëve që ke shumë angazhime, por përsëri me vullnetin që kam pasur ia kam dalë.
Gazeta InLajmi: Jeni femra e parë rekordmene, cila mendoni se ka qenë ‘arma‘ më e fortë që ju ka ndihmuar t’ia dilni pas çdo vështirësie që keni hasur?
Arbnora Fejza Idrizi: Për momentin jam femra e parë në trojet shqiptare ‘Rekordmene’ ndoshta edhe femra e parë me mbulesë në rekordmenet e artit origami.
Jeta dhe vështirësitë më kanë rrëzuar mijëra herë, jam përballur me shumë sakrifica por ëndrrat e mija dhe besimi në Zot ka qenë arma ime më e fortë për të sfiduar çdo gjë.
Gazeta InLajmi: Cila është porosia juaj për fund?
Arbnora Fejza Idrizi: Mos t’ ju ndalojë një dështim ,një paragjykim ,vazhdoni tek synimi juaj. Lindita Canolli Fejzullahu /InLajmi/