Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se praktika e rezolutës së miratuar në Kuvend për referendumin serb, duhet të vazhdojë të aplikohet, përcjell InLajmi.
Ajo tha se nuk ka kthim mbrapa të organizimit tradicional të procesit zgjedhor të Serbisë në Kosovë.
“Sa i përket zgjedhjeve më 3 prill në Serbi, mendoj që ajo që ndodhi me rezolutën e miratuar në Kuvend për referendum është një praktikë që duhet të vazhdojë të aplikohet. Kosova funksionimin e saj si shtet normal jo vetëm në rajon por edhe Evropë duhet të aplikojë duke ju garantuar qytetarëve me dy shtetësi procesin e votimit qoftë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Beogradit në Prishtinë, por kthim mbrapa të organizimit tradicional të procesit zgjedhor të Serbisë në Kosovë nuk ka”, tha Kusari-Lila.
Tutje Kusari-Lila ka njoftuar se në mbledhjen e Kryesisë u dakorduan që vazhdimi i punimeve të seancave që nuk janë mbyllur të filloj të mërkurën në orën 14:00.
“Sot është shqyrtuar kërkesa për debat parlamentar në seancë të jashtëzakonshme nga nënshkrimet e opozitës ku është kërkuar të debatohet për gjendjen me pandeminë, kjo seancë do të mbahet të enjten në orën 11:00. Me mbylljen e punimeve të kësaj seance të jashtëzakonshme do të fillohet me punimet e seancës së re”, tha ajo./InLajmi/