Qeveria e Kosovës, të premten ka miratuar vendimin për masat e reja kundër koronavirusit, për luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid-19, ndërsa kanë në fuqi nga sot, shkruan InLajmi.
Sa i përket kufizimit të lëvizjes, sipas shqyrtimit të Qeverisë, do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, për dallim që deri më tani fillonte nga ora 00:00-05:00.
Disa nga shkollat në Kosovë, gjegjësisht 2 shkollat “Ismail Qemali’ në Prishtinë dhe “Yll Morina” në Gjakovë ditë më parë kanë filluar mësimin online për shkak të paraqitjes së disa rasteve me koronavirus.
Në anën tjetër edhe në disa shkolla tjera ka pasur numër të madh të rasteve me koronavirus, ku si pasojë e kësaj vetëm klasat që kanë pasur më shumë raste kanë vazhduar me mësim online.
E pyetur se a do të ndërrojë mënyra e mbajtjes së mësimit, gjegjësisht sa do të ndikojnë masat e reja në procesin mësimorë, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Iliriana Pylla në një prononcim të shkurtër për Gazetën InLajmi ka dhënë këtë përgjigje.
“Për momentin shkollat vazhdojnë normalisht mësimin dhe do të vazhdojë edhe më tutje, varësisht se si e marrin vendimin Task-forcat komunale dhe ato të shkollave. Por, besoj se gjatë ditës MASHTI do të dale me një njoftim ku do ju njoftoj më detajisht”, tha Pylla. /InLajmi/