Rusia do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë ushtarake Malit përmes kanaleve shtetërore, ka thënë një diplomat i lartë rus, disa ditë pasi Bamako mohoi praninë e mercenarëve rusë, transmeton InLajmi.
Franca, Kanadaja dhe 13 vende evropiane javën e kaluar dënuan Moskën për lehtësimin e vendosjes së supozuar të kontraktorëve ushtarakë privatë nga “Grupi Wagner” i mbështetur nga Rusia në Mali, ku qeveria po lufton një kryengritje islamike.
Qeveria e Malit ka mohuar praninë e mercenarëve rusë, pasi tha se “trajnuesit rusë” ishin atje si pjesë e një marrëveshjeje 2-palëshe midis Malit dhe Rusisë.
Drejtori i departamentit të Ministrisë së Jashtme ruse për organizatat ndërkombëtare, ka thënë në një intervistë se Bamako kishte të drejtë të bashkëpunonte me çdo partner që donte në luftën e saj me militantët.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat legjitime të Bamakos në OKB (Kombet e Bashkuara) dhe gjithashtu të ofrojmë ndihmë aktive për partnerët tanë malianë në sferat ushtarake dhe ushtarako-teknike përmes kanaleve shtetërore,” citohet të ketë thënë Iliçev, shkruan France 24.
Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Grupi Wagner nuk përfaqëson shtetin rus, por se kontraktorët privatë ushtarakë kanë të drejtë të punojnë kudo në botë për sa kohë që nuk shkelin ligjin rus.
Iliçev u citua të thoshte se tërheqja e Francës nga bazat ushtarake në Mali kishte potencialin për të destabilizuar rajonin. Parisi ka mohuar më parë sugjerimet se po braktis Malin. /InLajmi/