Për të iu nënshtruar testeve për t’u pajisur me patentë shofer, kandidatët po presin 3 deri 4 javë, kështu i kanë thënë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Kjo dallon prej njësive por afërsisht 3 javë pjesa teorike dhe afër 4 javë pjesa praktike”, ka deklaruar udhëheqësi i Divizionit për Patentë Shofer në kuadër të Ministrisë, Burim Deliu.
Ai ka thënë se në regjionin e Prishtinës pritjet janë pak më të gjata, megjithatë ai nuk ka saktësuar sa është kjo pritje.
“Në regjionin e Prishtinës pritjet janë pak më të gjata si njësi më e madhe”, ka thënë Deliu.
I pyetur se sa është numri i qytetarëve që po presin të pajisen me patentë shofer?
Deli deklaroi: Nuk kemi numër të saktë, por të gjithë kandidatët të cilët e kryejnë aftësimin në tërësi në auto shkollë, pastaj paraqiten në njësit përkatëse të regjioneve për patentë shofer.
Ndërkohë, një qytetare nga Prishtina ka thënë se kishte pritur 2 muaj e gjysmë për të iu nënshtruar provimit me shkrim. Ajo ka thënë se më 4 tetor e kishte paraqitur provimin, ndërsa më 21 dhjetor i është nënshtruar testit.
Ky nuk ishte rasti i vetëm, ankesa të qytetarëve ka pasur edhe më herët.
Pritjet për t’iu nënshtruar provimit teorik, e posaçërisht atij praktik, patën zgjatur me muaj.
Nga janari-nëntor të vitit 2021, gjithsej janë 64 mijë e 881 kandidatë që janë testuar, ka deklaruar në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, udhëheqësi i Divizionit për Patentë Shofer, Burim Deliu, shkruan RTV21.
E mosha mesatare e kandidatëve që kanë aplikuar gjatë këtij viti për patentë shofer është 20-24 vjeç. Ndërsa, burrat janë ata të cilët sivjet kanë qenë më shumë të interesuar të pajisen me lejen për vozitje. 54% e kandidatëve ishin burra, ndërsa 46% gra.