Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere gjatë ditës së sotme ka shqyrtuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, raporton InLajmi.
Gjatë komisionit për buxhet ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar që të bëhet miratimi i komisionit në lidhje më këtë projekt i cili sipas tij kap vlerën 47 milionë euro, që ia mundëson Kosovës përmirësimin e sistemit të asistencës sociale.
“Me qëllim të projektimit të targetimit të asistencës sociale të familjeve në nevoje, ne si Ministri kemi nënshkruar marrëveshjen për financimin e projektit “Projekti i Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë, vlera totale e projektit pritet te kap vlerën e 47 milionë euro dhe i mundëson Qeverisë së Kosovës të përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale, ku përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë mjetet që shkojnë për asistencë sociale nga Qeveria”ka thënë Murati.
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka kritikuar ministrin Murati, ku ka thënë se në të kaluarën qeveritë kanë marrë kredi për investime kapitale, ndërkaq tani për skema sociale.
“E pash raportin dhe këto mjete do te shkojnë për skema sociale. Nëse është kështu se po i marrim këto mjete skema sociale, në të kaluarën ne kemi marrë kredi për investime kapitale, ndërsa tani po marrim për skema sociale. Madje ju vet keni qenë më i zëshëm në këtë drejtim”,ka thënë Hoti.
Ndërsa Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se mjetet që po kërkohen për këtë projekt janë shumë të mëdha, duke pas parasysh që po flitet për kredi e jo donacione
“Unë ju kuptoj se jeni parti e majtë dhe në thelb e keni skemën social. Këtë marrëveshje është pse ky buxhet me qenë kaq i madh për një pështyje kaq të vogël, shuma 47 milionë euro po më duket shumë, sepse po flasim për një kredi e jo për një donacion, pra qëllimin e kuptoj dhe është shumë fisnik, por në pjesën e mjeteve të përdorura në këtë drejtim është shumë”,ka thënë Lushtaku. /InLajmi/