Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, në mbledhjen e parë konstituive ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetaren e Bordit, përcjell InLajmi.
Me 7 vota për, kryetar i bordit është zgjedhur Besnik Boletini dhe me 7 vota për, Arta Berisha është zgjedhur nënkryetare.
Në këtë mbledhje morën pjesë 10 anëtarë të Bordit.
‘’Në këtë mbledhje bordi ka diskutuar lidhur me gjendjen aktuale të RTK-së. Me propozimin e kryetarit, bordi ka adresuar një kërkesë te menaxhmeti i RTK-së për të marrë të dhëna të detajuara mbi gjendjen e RTK-së në aspekte të veçanta në një afat të caktuar. Të dhënat sipas kontratës, për secilin punëtor sipas njësive; Kontratat për shërbime dhe ato mbi vepër për të gjithë punëtorët. Kohën kur ato kanë filluar dhe kur përfundojnë; Kontratat që RTK i ka aktualisht me produksionet e jashtme dhe mënyrën e pagesës; Listën e borxheve që i ka RTK ndaj secilit subjekt; Raportin financiar të marketingut, ku përfshihen të gjitha kontratat e marketingut që aktualisht i ka RTK’’, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga Bordi i RTK.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë kryetari i sapozgjedhur, Besnik Boletini, i cili ka shkruar se, bashkë me të gjithë anëtarët e bordit do të angazhohen maksimalisht.
‘’Sot, anëtarët e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, ma besuan udhëheqjen e këtij bordi. Në këtë mbledhje ndër të tjera u diskutua edhe për gjendjen aktuale të RTK-së. Kërkuam nga menaxhmenti që të marrim disa informacione që fillimisht ta kemi të pasqyruar sa më detajisht gjendjen në RTK. Kryesimi i bordit të RTK-së në këtë situatë është një sfidë e madhe. Por, bashkë me të gjithë anëtarët e bordit do të angazhohemi maksimalisht për ta përmirësuar sa më shumë gjendjen në transmetuesin publik’’, ka shkruar ndër të tjera Boletini./InLajmi/