Lideri serb i Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili u akuzua për rrezikim të luftës për të shpërbërë Bosnjën, e ka krahasuar veten e tij me ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, me përpjekjet e këtij të fundit për të rinegociuar kushtet e anëtarësimit të Britanisë në BE, përpara referendumit të Brexit.
Dodik tha se shkëputja e Republika Srpskas nga Bosnja do të ishte e mundur vetëm në rast se kërkesa e tij do të refuzohej për të rimarrë kontrollin e administratës tatimore, gjyqësorin dhe ushtrinë.
Dodik këto komente i bëri në Parlamentin e Republika Srpskas, ku tha se ai synon të ketë një periudhë gjashtëmujore me negociata së bashku me udhëheqësit kroatë dhe boshnjakë, në lidhje me një marrëveshje të re.
Ai tha se kjo erdhi pasi politikanët vendas mbështetën një rezolutë, sipas së cilës, etnitetet do të merrnin në mënyrë të njëanshme kompetencat ekzekutive, nëse do të ishte e nevojshme.
“Dodik tha se ishte i gatshëm të bënte kompromis mbi elementet e planeve të tij, por se një kushtetutë e re do të hidhej në referendum dhe se Republika Srpska do të shtyhej të ‘dalë’ nëse kërkesat e tij kryesore nuk plotësoheshin”, shkruan The Guardian
Fjalimi i tij, tha ai, ishte mbështetur në “fjalimin e Bloomberg” të Cameronit në 2013, në të cilin kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar kishte paraqitur kërkesat për kushte të reja të anëtarësimit të Britanisë në BE, transmeton Klankosova.tv.
“Në këtë fjalim, unë zëvendësova Britaninë e Madhe me Republikën Srpska dhe Bosnje dhe Hercegovinën me Bashkimin Evropian”, tha Dodik.