Egjiptianët e lashtë besonin se shpirti i të vdekurit kishte nevojë për trupin për të arritur në botën e përtejme (një tjetër fazë e jetës pas vdekjes), shkruan InLajmi.
Për ta ruajtur kufomën ata zhvilluan procesin e balsamosjes. Mjeshtërit e balsamosjes e lanin trupin para se ta hapnin për t’i hequr organet jetësore.
Larja e trupit
Në 15 ditët e para trupi pastrohej. Ai çohej në një tendë, e njohur si “Vendi i pastrimit”, ku lahej me ujë të kripur, para se të çahej për t’ia hequr organet. Truri hidhej, por mëlçia, mushkëritë, zorrët dhe stomaku ruheshin. Zemra lihej brena trupit, sepse egjiptianët e lashtë besonin që zemra është ajo që e drejton njeriun në botën tjetër.
Copa trupi në shishe
Organet jetësore si mushkëritë, stomaku, zorrët dhe mëlçia thaheshin. Pasi të ishin tharë në kripë, organet ruheshin në enë të posaçme prej guri apo qeramike të quajtura enë të përmortshme. Këto pastaj mbylleshin hermetikisht me kapakë në formën e kokës së një prej 4 djemve të perëndisë Horus.
Zorrët vendoseshin në enën e përmortshme me kapak si kokë skifteri. Skifteri përfaqësonte perëndinë Kebesenuef.
Tharja
Për të mos e lejuar mishin të kalbej me kalimin e kohës, nga ai duhej hequr e gjithë lagështira. Specialistët e mumieve e mbushnin kufomën me një kripë të posaçme të quajtur natron dhe pastaj e fusnin për 40 ditë në një banjë me natron. Trupi rrudhej, forcohej dhe merrte një ngjyrë blu në të zezë.
E mbështjellë mirë
Pasi hiqej natroni, kufoma e tharë lyhej me vaj dhe i viheshin sy të rremë, si dhe një paruke, për të bërë që të dukej më jetësore. Pastaj mbi të hidhej rrëshirë që të forcohej dhe të pengohej rritja e mykut. Në fund trupi mbushej me lecka, madje edhe tallash dhe pastaj mbështillej me 15 metra fashë prej pëlhure liri, gjatë 15 ditësh të mbushura me lutje.
Procedura me 5 faza e mbështjelljes së trupit fillonte gjithnjë nga koka. Gjatë mbështjelljes, midis fashave viheshin hajmali për fat, që të mbronin personin nga e keqja në botën e përtejme.
Sende të vyera
Në fund trupi i ruajtur vihej brenda një kutie prej druri. Meqë vdekja shihej si një shkëputje e përkohshme nga jeta, mumiet varroseshin bashkë me sende të jetës së përditshme, si bizhuteri, rroba, këpucë, instrumente muzikore dhe pjesë mobiliesh. Edhe macet dhe qentë shtëpiakë balsamoseshin për t’i bërë shoqëri pronarëve të tyre në botën e përtejme.
Arkivolet e shtrenjtë bëheshin në trajtën e njeriut dhe zbukuroheshin me gjëra magjike. Tiparet e trupit si sytë e ndihmonin personin të shkonte në botën e përtejme.
Madje ka fakte se është gjetur një mumie pas 4.000 vjetësh. Tiparet e saj janë ende të dallueshme për shkak të ruajtjes së teknikave të ruajtjes së mumieve që përdornin egjiptianët e lashtë. /InLajmi/
Burimi: Discovery Channel