Janë zhvilluar 6 ndeshje në natën e mbrëmshme në elitën e basketbollit amerikan NBA.
Padyshim që takimi kryesor ishte mes Brooklyn Nets dhe Chicago Bulls, ku mysafirët kanë arritur fitore me 4 pikë diferencë 107:111.
Ishte një ndeshje shumë interesante, ku Nets ishin në epërsi gjatë 3 çerekëve të parë, por Bulls bën rikthimin e madh në fundin e ndeshjes.
Zach LaVine ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë duel për Chicagon me 31 pikë të shënuara, 8 kërcime e 6 asistime.
Me lojë të mirë u dallua DeMar DeRozan që shtoi 29 pikë, 6 kërcime e 3 asistime, derisa me pikë dyshifrore e mbyllën edhe Vucevic dhe Dosunmu që shtuan nga 11 pikë.
Kevin Durant ishte më efikasi tek Nets, që realizoi 28 pikë, 10 kërcime e 4 asistime, por që nuk mjaftuan për fitore.
Për Chicagon kjo ishte fitorja e 2 ndaj Nets këtë edicion, derisa Bulls tani ndodhen në vendin e 2 në Lindje me 16 fitore e 8 disfata.