Lumir Abdixhiku, i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përmbyllje të fushatës tha se sot janë mbledhur për t’i dhënë fund një fushate të gjatë elektorale, dhe për të nisur një qeverisje të gjatë por të gjallë qytetare, përcjell InLajmi.
Sipas tij, një qeverisje që e transformon Prishtinën me kryetarin padallim, me Përparim Ramën.
“Sonte po e mbyllim vetëm një copë të rrugëtimit tonë politik me qytetarë; të hënën e javës së ardhshme do të hapim një derë të re, derën e shpresës që Prishtinasit e kanë kërkuar tash e sa vjet
Me ju, me Përparimin, me të gjithë kandidatët e veprimtarët gjithandej nëpër Kosovë, e ardhmja e Lidhjes Demokratike të Kosovës është e ndritur, e pastër, e fuqishme.Ju faleminderit nga zemra që bashkëudhëtuat me ne në këtë fushatë. Besimin e juaj do ta kujdestarojmë me përgjegjësi e me nder. Do të ecim së bashku përherë.
160 është numri ynë.
Përparim Rama është kandidati ynë e i juaji padallim”, tha Abdixhiku.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Prishtinës,
Të nderuar struktura e aktivistë të LDK-së,
Miq e bashkëpunëtorë që na qëndroni afër gjithëherë,
Jemi mbledhur sonte këtu, për ti dhënë fund një fushate të gjatë elektorale, për të nisur një qeverisje të gjatë por të gjallë qytetare. Një qeverisje që e transformon Prishtinën me Kryetarin tonë e tuajin padallim, me Përparim Ramën.
Sonte po e mbyllim vetëm një copë të rrugëtimit tonë politik me qytetarë; të hënën e javës së ardhshme do të hapim një derë të re, derën e shpresës që Prishtinasit e kanë kërkuar tash e sa vjet.
I dashuri Perparim,
Muaj më parë u ulëm të dy. Folëm për shumëçka. Për jetën, për Londrën e Neë Yorkun, për rrugëtimet nëpër gjithë botën. Jeta për ata që largohen është gjithherë e vështirë. Këtë e dimë të dy. Por janë përvojat, vështirësitë e sfidat që na formësojnë në këta që jemi tani.
Folëm për vendin tonë, të ardhmen e gjeneratave që na vijnë, fëmijët tanë e fëmijët e tjerë padallim. Të fola dhe për LDK-në. Të fola për të gjithë e një nga një.
Folëm dhe për Prishtinë. Rrugët e saj, rrugicat ku jemi rritë si fëmijë, shkollat që i bëmë, miqtë që i patëm aty, kujtimet e paharrueshme e ëndrrat që si bëmë kurrë – në qytetin më të mirë në botë, në Prishtinën tonë.
Aty kuptova se sa shumë e don ti Prishtinën. Kuptova, mbi të gjitha, sa shumë ka nevojë Kryeqyteti për ty. Ti dhe Prishtina, Përparim, jeni një.
Muaj më parë ishim vetëm dy. Shiko përreth ku kemi mbërri. Janë këta aktivistë e qytetarë, mijëra e mijëra të tjerë në Kryeqytet, që na janë bashkangjitë, e që presin me padurim një qeverisje që ju jep transformim, një udhëheqës që ka vizion e ëndrra të mëdha për qytetin që e ëndërrojmë të gjithë. Të presin ty Përparim.
Të dashur qytetarë të Kryeqytetit,
Gjatë javëve e muajve të fundit ne bëmë fushatë të drejtë. Ju takuam, ju dëgjuam. Biseduam gjatë për çdo brengë tuajën. Në këtë bashkëbisedim e dorështrëngim, ne ju dhamë dhe projektet tona. Folëm për shkolla e çerdhe, për parqe e për parkingje, për muze, salla, rrugë e sheshe. Folëm për një Prishtinë më ndryshe.
Një Prishtinë ku jeta është përvojë. Ku vizita është kujtim. Një Prishtinë ku kujtimet nuk ndalen por mbesin të gravuara përherë.
Këtë Prishtinë e kemi menduar e shkruar, shpërfaqur e diskutuar gjatë e qartë përgjatë gjithë ditëve të fushatës. Këtë Prishtinë ua kemi ofruar si mundësi, dhe sot, të dashur qytetarë, jeni vetëm një votë larg një Prishtine të tillë.
Ata që s’ëndërrojnë shumë, që s’kërkojnë shumë, që s’munden shumë, natyrisht se e dyshojnë një Prishitnë të tillë. Pse se bëjnë dot vet se besojnë as potencialin e jashtëzakonshëm që ky qytet me kaq shumë njerëz ka vërtetë.
Por ne e dimë se Kryeqyteti s’mund veç të administrohet. Është shumë më i veçantë se kaq. Ne e dimë se Kryeqyteti s’mund as të përdoret, është shumë i shtrenjtë se kaq. Kryeqyteti duhet të transformohet.
Ne mendojmë e ëndërrojmë shumë sepse besojmë në Kryeqytetin tuaj e tonin. Ne mendojmë e ëndërrojmë shumë sepse e kemi Përparimin kandidat tonin.
Të dashur struktura të LDK-së,
Për mua është nder e privilegj të jem njëri nga ju; mbi të gjitha të ju prijë në këtë fushatë e përtej saj. Më keni bërë vërtetë krenar.
Përgjatë gjithë kësaj kohe, ju dëshmuat angazhimin e vërtetë të shtëpisë sonë politike. Dëshmuat se sa të mëdhenj vërtetë jemi. Përparimin e pritët si ta kishit pasur afër përherë. Sepse kështu vërtetë jeni. Të hapur, përparimtarë, të afërt e lojal ndaj vlerave që i shërbejnë qytetarëve tanë.
Ju faleminderit secilit aktivist e aktiviste, për gjithë kohën e dhënë në këtë shërbim. Ka qenë e vështirë për secilin prej jush një angazhim kaq i madh e kaq i gjatë – larg familjeve, larg brengave të përditshme – por është angazhim për një kauzë më të madhe për vendin e për Kryeqytetin.
Me ju, me Përparimin, me të gjithë kandidatët e veprimtarët gjithandej nëpër Kosovë, e ardhmja e Lidhjes Demokratike të Kosovës është e ndritur, e pastër, e fuqishme.
Zonja dhe zotërinj,
Ju faleminderit nga zemra që bashkëudhëtuat me ne në këtë fushatë. Besimin e juaj do ta kujdestarojmë me përgjegjësi e me nder. Do të ecim së bashku përherë.
160 është numri ynë.
Përparim Rama është kandidati ynë e i juaji padallim.
Zoti e bekoftë Kosovën, Prishtinën e Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ju faleminderit!
/InLajmi/




















