Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama ka prezantuar projektin e tij ‘’Tullëtorja’’, raporton InLajmi.
Rama tha se Kodra e Trimave dikur është quajtur Kështjellë, e cila ka shërbyer si qendër universitare dhe mjekësore.
“Duke shërbyer si qendër universitare dhe mjekësore, Kodra e Trimave dikur është quajtur ‘kështjellë’ duke qenë në radhët e para të qëndresës”, ka thënë Rama.
Ai e ka quajtur atë si ‘’Porta e Qytetti’, ku tha se kjo zonë do të rigjenerohet falë projektit tonë të Tullëtores e cila do të shndërrohet në Muze të Artit Modern”.
“Sot, Kodrën e Trimave e shoh si ‘Porta e Qytetit’, që do të përfaqësojë të arriturat më të mëdha të rigjenerimit të qytetit të Prishtinës. Ky rigjenerim i zonës do të fillojë me projektin tonë të Tullëtores e cila do të shndërrohet në Muze të Artit Modern”.
Ky projekt sipas Ramës do të shërbejë si fillim i zhvillimit të të gjithë zonës së Kodrës së Trimave.
“Platforma e gjelbër urbane do të krijojë mundësi për lëvizje të lehtë e të drejtpërdrejtë për çdo qytetar, e posaçërisht për persona me aftësi të kufizuara. Ky projekt do të shërbejë si fillimi i zhvillimit të të gjithë zonës së Kodrës së Trimave, e cila ka probleme me pronësi, mungesë të hapësirave të gjelbra, mungesë të Qendrës Rinore, mungesë të infrastrukturës rrugore, të kanalizimeve e problemeve të tjera”.
“Në bashkëpunim të plotë me qytetarët e kësaj zone, dhe me të gjitha grupet e interesit, do të hartojmë planin urban për rigjenerimin e zonës, e cila është me rëndësi të madhe për qytetin”.
“Projekti i pikës ndërlidhëse mes Muzeut të Artit Modern me Qendrën do të kushtojë 25 milion euro. Fondet do të merren nga IPA, dhe 10 milionë nga fondet publiko-private, gjatë periudhës 3-vjeçare”, tha ai./InLajmi/