Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me zëvendës-ndihmës sekretaren e shtetit amerikan, Molly Montgomery, përcjell InLajmi.
Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në takim u vlerësua lartë mbështetja e SHBA-ve për Kosovën dhe partneriteti i shumëanshëm mes 2 vendeve.
“Mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti i shumanshëm, u vlerësuan lart nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me zëvendës ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Molly Montgomery”, thuhet në komunikatë.
Tutje në komunikatë thuhet se Montgomery theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë për FSK-në, për pajisjet dhe trajnimet, si dhe ka shprehur vullnetin për të bashkëpunuar edhe më tutje.
“Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, u bisedua për situatën në menaxhimin e pandemisë COVID-19, ku kryeministri Kurti falënderoi SHBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.
“Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me SHBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve”, përfundohet në komunikatë./InLajmi/