Një oficer policie u vra me armë zjarri paraditen e kësaj të marte në Ishull Lezhë. Viktima është identifikuar si Saimir Hoxha 44 vjeç dhe mbante detyrën e oficerit të krimeve.
Në një informacion paraprak për mediat, policia e Lezhës tha se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Për pasojë, plumbat kapën efektivin 44-vjeçar i cili humbi jetën rrugës për në spital.
Grupi i policisë së Lezhës po bënte një kontroll në zonën Ishull Lezhë, në zonën e mbrojtur, Laguna e Vainit, kur ka pikasur një automjet të dyshimtë.
Grupi i policisë prej 5 vetash, e ka ndalur automjetin, ndërsa menjëherë ka ndodhur edhe shkrepja e armës, ku një plumb në zemër është qëlluar drejt oficerit të Krimeve Saimir Hoxha, 44 vjeç, i cili është nisur menjëherë për në spital, por ka ndërruar jetë.

Autori i dyshuar i vrasjes është Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Ai është larguar me automjet nga vendngjarja dhe vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij, shkruan tvklan.al
Aktualisht forca të shumta të policisë, RENEA-s e FNSH janë në terren.