Disa qytetarë në Prishtinë janë shprehur të shqetësuar nga tensionimi i situatës në veri të vendit, pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.
Ata kërkojnë që vendi t’i kthehet normalitetit sa më shpejt, raporton Ekonomia Online.
Qytetari Lam Lajçi, nga qyteti i Pejës, tha se situatën e shohin të tensionuar duke shpresuar që gjithçka të kaloj pas asnjë incident.
“Situatën e shohim të tensionuar, por ishallah përmirësohet sa më shpejtë dhe krejt kjo të kaloj e të qetësohen gjërat. Varet se a do tensionohet krejt kjo gjendje, por urojmë që të kaloj gjithçka në favor tonin”.
Idriz Gashi në anën tjetër, shpreson që me ndihmën e ShBA-së krejt kjo situatë do qetësohet dhe vendi t’i kthehet normalitetit.
“E rrezikshme shumë, por ndoshta na ndihmon Amerika. Besoj që do rregullohet tash me ndihmën e amerikanëve”.
E qytetari tjetër, Jahir Krasniqi, tha se reciprociteti është dashur të vendoset shumë më herët.
“Kjo situatë është dashur moti të ndodh në veri, kanë nënshkruar të gjithë krerët e shtetit e tash le t’i përmbahen marrëveshjes. Kurrgjë tjetër këtu nuk ka, kështu që nëse donë Serbia me tensionua akoma ne këtu jemi në kufirin tonë, brenda Kosovës. Për një grup serbë që i ka mashtruar dhe protestojnë ata nuk po bëjnë asgjë me këtë”, tha ai.