Me një program të shkurtuar artistik dhe me pjesmarrës të limituar, për shkak të masave kundër pandemisë #Covid 19#, të premtën Biblioteka e qytetit në Prizren, me sukses e përfundoi programin 5 ditor të quajtur “Java e Leximit”. – shkruan InLajmi
Ky aktivitet tashmë tradicional i XI – ti më radhë që e organizon Bibliotekës ndërkomunale dhe Këndi Amerikan në Prizren, e përkrahur për çdo vjet edhe nga ambasada Amerikane në Prishtinë, sivjet u organizua me moton, “Të luajmë duke mësuar, të mësojmë duke luajtur”.
50 fëmijë nga komunitetet e ndryshme që jetojnë në Prizren, bashkë me stafin e Bibliotekës, gjatë një jave, organizuan lojëra dhe aktivtete të ndryshme, me qëllim të promovimit të leximit, mësimit të lëndëve mësimore, si dhe bënë disa vizita institucioneve dhe të objekteve të trashëgimisë tone kulturore.
“Këta fëmijë gjatë aktivitetit “Java e leximit”, patën takime të shumta me 25 krijues letrar, aktor, mjekë, ambientalistë dhe specialistë të fushave të ndryshme,- tha për InLajmin, drejtoresha e Bibliotekës ndërkomunale në Prizren, Sahadete Sadikaj- Kukaj. – “Me që idea e këtyre takimeve, është që t’i aktivizojnmë fëmijët edhe gjatë pushimeve verore dhe të parapërgaditen për fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët dhe mysafirët, diskutuan për lëmi të shumta si dhe lexuan në ambiente të hapura, me qëllim të promovimit të leximit, si një vlerë e pazëvendësueshme për njeriun, veçmas për gjeneratat e reja”. – përfundoi zonja Sadikaj-Kukaj
Të theksojmë se pos promovimit të leximit, ky aktivitet tradicional,
ka për qëllim t’i socializojë fëmijët mes vete, sidomos ata fëmijë të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të shkojnë në pushime. Osman Goranci /InLajmi/