Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve P.S., A.V. dhe S.A., të cilët me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se, më 11 Gusht 2021, rreth orës 17:30 minuta, në Gjilan, të pandehurit e lartshënuar kanë poseduar me qëllim shpërndarje dhe shitje substanca narkotike, të llojit ‘’Marihuanë’’, në peshë prej 11kg e 550 gr, e cila është sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përcjell Gazeta Express.
“Ndërsa, i pandehuri S.A., dyshohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi ka mbajtur në pronësi 2 pistoleta, një karikator dhe 176 fishekë, të cilat iu janë sekuestruar”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.