Një shpërthim në një park industrial në Gjermani të martën la të vdekur së paku 2 persona, ndërsa 31 të tjerë janë lënduar. Zjarri shkaktoi tym të madh mbi qytetin perëndimor gjerman, Leverkusen. Disa persona ende janë të zhdukur.
Shërbimeve emergjente iu nevojitën 3 orë për ta shuar zjarrin në zonën industriale “Chempark”, ku ndodhen kompani të mëdha të kimikateve. Zjarri shpërtheu rreth orës 9 e 40 minuta të mëngjesit të së martës .
“Mendimet e mia janë me të lënduarit dhe me të dashurit e tyre. Ende jemi duke i kërkuar të zhdukuarit, por shpresa për t’i gjetur ata të gjallë është duke u venitur”, tha shefi i zonës industriale ku ndodhi shpërthimi, Lars Friedrich, shkruan Reuters.
Policia lokale tha se nga 31 personat e lënduar, 5 prej tyre ishin të prekur aq seriozisht, sa patën nevojë për kujdes intensiv, transmeton Gazeta Express.
Policia bllokoi disa rrugë dhe kërkoi nga banorët që të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave dhe t’i mbajnë mbyllur dyert e dritaret. Autoritetet janë duke e analizuar cilësinë e ajrit përreth zonës për ndonjë gaz të mundshëm helmues.