Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka takuar për herë të dytë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet 2 vendeve.
Takimi në Bruksel po mbahet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Para se të fillojë takimi, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se shpreson që ky takim mos të jetë si ai i qershorit, i cili nuk solli asnjë rezultat.
Ashtu si në takimin e parë, Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po ndërmjetësojnë takimin e 2-të ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.
Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Mëngjesin e sotëm zhvillova takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të përgatitur takimin e nivelit të lartë të dialogut që mbahet këtë pasdite”, shkroi Lajçak në Twitter, transmeton Gazeta Express.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të 2-ja vendeve, ndërsa nga SHBA-ja u kanë thënë që ta gjejnë një kompromis.